Më 19 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën 74/245, përmes së cilës caktoi datën e sotme, 4 Dhjetor, si ‘Ditë Ndërkombëtare të Bankave’.
Për të shënuar ditën e sotme dhe për tu njohur me gjendjen e bankave dhe sistemin bankar në Kosovë, Radio KFOR-i mori më shumë detaje nga Kryeshefi Ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, z. Petrit Balija: “Rëndësia e institucioneve bankare si katalizator ekonomik, është i pazëvendësueshëm. Sektori bankar në Kosovë ka qenë dhe mbetet injektuesi kryesor i kapitalit në ekonominë e vendit. Vetëm gjatë vitit 2021, apo deri në muajin tetor të vitit 2021, bankat kanë dhënë kredi të reja prej 1.40 miliardë Euro, prej tyre rreth 763 milionë, ishin të destinuara për bizneset, ndërsa, pjesa tjetër për ekonomitë familjare. Kosova si vend me sipërfaqe territoriale dhe popullatë relativisht të vogël, po tregon se ka një sektor bankar solid, të cilin duhet ta ndihmojë dhe zhvillojë edhe më tutje, dhe pse jo, të bëhet qendër financiare për rajonin në të ardhmen e afërt.”
Kjo ditë shënohet për të njohur potencialin e bankave zhvillimore shumëpalëshe dhe bankave të tjera ndërkombëtare të zhvillimit, për financim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurimit të njohurive.