Duke e ditur që mirënjohja rritë sistemin imunitar, ulë nivelin e stresit, ulë simptomat e depresionit si dhe përmirëson gjumin, në vitin 1965 në Hawaii, u mbajt një mbledhje ndërkombëtare, ku dhe u vendos që një herë në vit të shënohet “Dita Botërore e Mirënjohjes”. Pas këtij takimi, për herë të parë, më 21 shtator të vitit 1966, u shënua kjo ditë duke shprehur zyrtarisht mirënjohjen dhe vlerësim për gjërat e mrekullueshme që kemi në jetë.
Për të ditur se sa është e njohur kjo ditë edhe tek ne, Radio KFOR-i kontaktoi disa qytetarë: “Përshëndetje jam Shkumbin Ferati. Në fakt, nuk e paskam ditur që ekziston një ditë e tillë, por shumë e mirë qenka, se ne duhet të jemi falënderues që nga mëngjesi kur zgjohemi, e për të gjitha të mirat tjera që i bëjmë e që i kemi në jetë.”
Ndërsa një tjetër qytetarë, z. Ilaz Pllana, tha: “Jam falënderues për shëndetin, familjen, punën dhe për gjithçka tjetër që kemi në jetë. Duhet gjithmonë t’i vlerësojmë të mirat, jo vetëm në këtë ditë.”
Sot dhe çdo ditë tjetër, ne duhet të jemi mirënjohës dhe të vlerësojmë të mirat që i kemi në jetën tonë siç janë shëndeti, familja, puna, ushqimi e shumë gjëra të tjera që i gëzojmë përditë.