Qendra Sociale ‘Termokiss’, po vazhdon punën me aktivitete të shumta, me diskutime, punëtori dhe ngjarje të tjera, duke përfshirë të rinjtë dhe duke ngritur tema të rëndësishme për shoqërinë. Sot (28 tetor), duke filluar nga ora 16:00, në ambientet e kësaj qendre do të mbahet një diskutim me të rinjtë mbi ndryshimet që kemi përjetuar globalisht, në të gjitha aspektet jetësore dhe mbi ndikimin e këtyre ndryshimeve në jetën tonë. Për të mësuar më gjerësisht rreth këtij aktiviteti Radio KFOR-i, ka zhvilluar një bisedë me organizatoren e komunitetit në ‘Termokiss‘, Fjolla Brisku, e cila tregoi për këtë diskutim ku do te ketë të ftuar edhe një psikologe: “Ngjarjet e fundit si dhe vështirësitë që veç se kemi qenë duke i pasur në të kaluarën, kanë krijuar sisteme të reja të mënyrës së funksionimit në të gjitha sferat e jetës, së bashku me ne. Prandaj, sot kemi organizuar një diskutim interaktiv dhe kemi vendosur të bashkëbisedojmë me aktivisten si dhe psikologen Artana Makolli, mbi perspektivën emocionale drejt ngjarjeve më të mëdha se sa ne; rëndësia që ka verbalizmi, emërtimi dhe njohja e asaj se çfarë po ndjejmë dhe përjetojmë; reflektimi në mënyrën se si ne zgjedhim të komunikojmë me të tjerët dhe peshën që ato bartin në lidhje me njëra-tjetrën.”
Ky aktivitet është i hapur për të gjithë të interesuarit, ndërsa mbajtja e maskës dhe distancës është e obligueshme për pjesëmarrësit.