Gjatë ditëve të ardhshme të muajit nëntor, vendi ynë do të pasurohet me shumë ngjarje kulturore dhe sportive, ku Radio KFOR-i do të ndaj me ju disa nga to:
– Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizojnë ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore.
– KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicion e gjashtë “Ta Zbardhi Ftyrën”, i cili do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. “Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet me datën 27 nëntor, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), në Prishtinë.
– Më 21 nëntor, me fillim prej orës 20:45, Kosova do ta zhvilloj ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Përballja që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë përballë Bjellorusisë. Dy kombëtaret, janë pa gjasa për kualifikim në “Euro 2024”.
– Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë ka hapur edhe zyrtarisht edicionin e 10-të jubilar të “Mollëkuqes”, ku fëmijët dhe të rinjtë do të garojnë për këngën më të mirë të këtij viti në kategori të ndryshme. Performancat nuk duhet të zgjasin më shumë se 4 minuta, ndërsa çmimet për fituesit në secilën kategori do të jenë 500 euro. Festivali do të mbahet më 27 nëntor, në Gjilan.