‘Dita Botërore e Meteorologjisë’, tregon kontributin thelbësor të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike për sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë dhe festohet me aktivitete të ndryshme në mbarë botën. “Dielli, Toka dhe Moti”, kjo është motoja e sivjetme e ‘Ditës Botërore Meteorologjike’, e cila shënohet çdo vit më 23 mars, që nga dita kur hyri në fuqi Konventa për themelimin e Organizatës Botërore Meteorologjike, në vitin 1950.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi disa dëgjues të cilët u pyetën se a u besojnë parashikimeve të meteorologëve dhe sa ndikon moti tek disponimi i tyre:
“Shumë i besoj, por zakonisht për dy apo tri ditë, jo më gjatë. Moti ndikon shumë te unë, sepse për mua nuk mendoj se është dita e mirë nëse nuk ka diell”, u prononcua për Radio KFOR-in, Arbnori.
“Me zhvillimin e teknologjisë dhe ofrimit të aplikacioneve po arrihet gati saktësisht të tregohet se çfarë moti do të kemi. Unë zakonisht në mbrëmje e shikoj se çfarë moti do të kemi të nesërmen, e kjo më ndihmon shumë se çfarë të veshi dhe të përgatitemi psiqikisht. E sa i përket motit se sa ndikon ai në disponimin tim, unë them se ndikon dhe mendoj që një ditë me diell ndikon pozitivisht në disponimin e njeriut”, tha ndër të tjera Rinori.