Në shoqëritë demokratike, vlerësohen mundësitë dhe liritë që sjell demokracia, e cila është themel i shoqërive të lira, sepse kur liria mungon, jeta përfshin sfida të paimagjinueshme që shpesh janë të pakuptueshme e të patejkalueshme. Për të njohur meritat që sjell demokracia dhe për të nderuar të gjithë ata që ndikuan në krijimin e shoqërive demokratike, data e sotme, 15 shtatori, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë”.
Ka qenë viti 2007, kur Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e miratoi një rezolutë e cila njihte 15 shtatorin e çdo viti, si “Dita Ndërkombëtare të Demokracisë”, që ka për qëllim që të promovojë rolin e qeverive në ruajtjen e demokracisë dhe të kremtojë sistemin e vlerave që promovon demokracia, duke u dhënë qytetarëve fuqinë për të marrë vendime në lidhje me të gjitha aspektet e jetës së tyre. Qysh nga lindja e demokracisë në Greqinë e lashtë, mijëra vjet më parë, e deri më sot, themel i një shoqërie demokratike, është aftësia e njerëzve të saj për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së kombit të tyre. Kjo mund të ndodhë vetëm kur të gjithë lejohen të votojnë pavarësisht nga raca, gjinia, etnia apo faktorë të tjerë.