Në kuadër të kampanjës që i dedikohet gastronomisë në Radio KFOR, përgjatë muajit shtator, në emisionin ‘Mëngjesi Me Ty’, ishte e ftuar njëra prej grave më të suksesshme në biznesin që ajo drejton. Ani pse tash e 5 vite operon me pasionin e saj të shndërruar në profesion tashmë, emrin e saj e njohim të gjithë, znj. Rudina Qosja, nga Pastiqeria Rudi’s cake, e cila tregoi se gjithçka filloi nga pasioni i trashëguar nga nëna e saj, por për të përsosur aftësitë e saja profesionale, ajo ka ndjekur shumë trajnime edhe jashtë vendit, që i shtuan edhe më shumë dëshirën për të sjellë një koncept tërësisht ndryshe, duke sjell kultura të reja në vendin tonë, s’i shijen e ëmbëlsirave të Parisit (École Lenôtre), New York-ut (Valrhona) si dhe shumë receta të tjera unike.
Si një grua e suksesshme, e cila po ashtu është edhe mësimdhënëse në drejtimin e pastiqerisë në shkollën e Pastiqerisë Korabi, ajo pati edhe një mesazh, posaçërisht për gratë: “Unë gjithmonë u bëj thirrje dhe mundohem t’i përkrahi gratë që të hapin bizneset e tyre. Pra, të gjitha grave të cilat për momentin nuk janë duke punuar diçka, iu them se ky profesion mund të bëhet edhe nga shtëpia. Krejt çka ju duhet është një mikser, një furrë dhe kremrat, pra përgatitjet janë shumë të lehta e përfitimet janë të shumta, jeni afër fëmijëve, afër familjes dhe mund të krijoni të hyra për vetën dhe familjen. Dhe mos harroni, ndjeke zemrën tënde, investo në atë që ti e ndjen dhe e do, dhe bëje punën më së miri që mundesh, mos u dorëzo asnjëherë. Hapat e parë janë shumë të vështirë, mirëpo me punë, përkushtim e dashuri do ta arrish suksesin.”
Pastiqeria Rudi’s Cake, ofron edhe biskota të mahnitshme, kreative dhe të shijshme, ëmbëlsira dhe ushqime të ëmbla, por ëmbëlsira më e kërkuar mbetet ëmbëlsira e quajtur ‘Vannesa’.