Kuptimi më madhor i jetës, është t’u ndihmosh atyre që kanë nevojë, e buzëqeshja në fytyrën e një fëmije, është diçka që s’mund ta blesh me paratë e gjithë botës.
Falë bashkëpunimit në mes të KFOR-it, Kontingjentit të CIMIC-ut (Bashkëpunimi Civil-Ushtarak) Italian, shoqatës “Nicola Ciardelli” dhe institucioneve lokale dhe akterëve të tjerë, dje (04.04.2023) i është kthyer buzëqeshja shumë fëmijëve dhe stafit shëndetësor, në Departamentin e Onkologjisë në Pediatri, aty ku u përmbush një punë e nisur kohë më parë.
Donacion me përmbajte të pajisjeve shumë të nevojshme u dhuruan në prezencën e stafit mjekësor, në emrin e të cilëve për Radio KFOR-in foli Shefi i Repartit, Dr. Bardhyl Abrashi: “Bashkëpunimi me CIMIC-un daton qysh 16 vite më parë, kur kanë qenë hapat e parë të punës protokollare, trajtimit me protokoll të fëmijëve me kancer dhe ndihma e KFOR-it në aspektin logjistik, ishte e pamohueshme, ndihmë kjo e cila ka vazhduar dhe po konfirmohet edhe një herë me një ndihmë të madhe që po ndodhë sot. Ne shprehim falënderime dhe mirënjohje për këtë ndihmë.”
Komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore dhe Kontingjentit Italian, kolonel Mario BOZZI, me rastin e dhurimit të këtij donacioni, tha se t’u ndihmohet fëmijëve, është gëzimi më i madh: “Fillimisht unë dua të falënderoj Komandantin tonë, Gjeneralin RISTUCCIA për atë që ka bërë, sepse para një muaji ai ka filluar bashkëpunimin me spitalin dhe na ka kërkuar neve, si Komandë Rajonale Perëndimore, që me të gjitha forcat tona të hyjmë në këtë bashkëpunim dhe të japim kontributin tonë. Falënderime edhe për dy shoqatat “Nicola Ciardelli” dhe “Live to Love”. Sot, si Kontingjent Italian dhe si CIMIC Italian, është një ditë e bukur dhe këtë e them si një baba që jam, sepse kur mund të ndihmojmë fëmijët, është gëzimi ynë më i madh. Më duhet të falënderojë KFOR-in dhe Italinë, për këtë donacion të mrekullueshëm.”
Ndërkohë, Zyrtare Mirjeta Bunjaku për Donacione nga Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Donacioneve në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, duke falënderuar KFOR-in për ndihmën e vazhdueshme, tregoi rëndësinë që ka ky donacion: “Donacioni përmban material shpenzues, ku hyjnë dezinfektues, mantele, 20 tabletë-iPad për fëmijë dhe porta venoze, që janë shumë të rëndësishme për këta fëmijë. Këto pajisje janë shumë me rëndësi, për shembull tabletët pasi fëmijët këtu kalojnë pjesë të madhe të kohës, nga 3 muaj deri në 6 muaj, varësisht prej terapisë, tani me e këta tabletë, munden me i vijua mësimet online. Në përgjithësi ky donacion është shumë i rëndësishëm si për fëmijët ashtu edhe për stafin. Portat venoze janë ndihmë shumë e madhe, që fëmijët të marrin terapinë përmes tyre.”
Rritja e kapaciteteve të Spitalit Universitar të Prishtinës, është synimi i projektit që është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet misionit të KFOR-it, Shoqatës “Nicola Ciardelli” dhe Spitalit të Pizës, për t’i mundësuar Departamentit të Onkologjisë në Pediatri, për implantimin e kateterit venoz qendror, në pacientët e pediatrisë, që vuajnë nga tumoret malinje.
Presidentja e Shoqatës “Nicola Ciardelli”, avokatja Federica Ciardelli në intervistën dhënë Radio KFOR-it në muajin shkurt të këtij viti, na kishte njoftuar se deri më tani shoqata në fjalë ka mundësuar ndihmë konkrete për rreth 700 pacientë të rinj, të regjistruar në repartin e onko-hematologjisë pediatrike në Spitalin e Prishtinës si dhe ndihmë për familjarët e pacientëve të vegjël.