Në kuadër të kampanjës #PSYCHOLOGISTS, që po zhvillohet gjatë muajit prill, në Radio KFOR, sot (05.04.2023), e ftuar në emisionin e mesditës ‘Macchiato Lounge’, te gazetarja/moderatorja Pranvera Behrami-Breznica, ishte psikologe Rrezarta Sadiku – Hysa.
Për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, znj Sadiku – Hysa tregoi më shumë rreth profesionit të psikologes por edhe në veçanti për problemet emocionale, ankthin, simptomat dhe menaxhimin e simptomave të sëmundjeve dhe problemeve mendore.
Psikologia Rrezarta, tregoi edhe rreth rolit të psikologut: “Psikologu parandalon, shëron disa sëmundje përmes psikologjisë psikiatrike, me metodat e psikoterapisë apo këshillimit dhe nuk jep medikamente.”
Ajo ftoi të gjithë që të konsultohen me ekspertët e fushës përkatëse, sa herë që kanë probleme me shëndetin mendor: “Unë ju bëj apel, pasi jemi në muajin e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, duroni deri në atë masë ku nuk vuani nga heshtja juaj, sepse ka raste kur shumë njerëz janë të heshtur por brenda kanë vullkan, kanë ulërima brenda vetes, që rrjedhin nga problemet me të cilat ballafaqohen në heshtje dhe kjo është plotësisht e gabuar, sepse mund ti shkaktojmë vetes probleme në të ardhmen.”
Sipas psikologes Sadiku – Hysa, të gjithë njerëzit kanë nevojë për seanca nga psikologu, por nganjëherë edhe ata individë që nuk shfaqin probleme të dukshme: “Një njeri i zakonshëm, në jetën e tij, të paktën tre herë në vit ka nevojë të vizitojë psikologun.”
Shëndeti mendor përfshin mirëqenien tonë emocionale, psikologjike dhe sociale. Ajo ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndjejmë dhe veprojmë. Gjithashtu shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, nga fëmijëria dhe adoleshenca deri në moshën madhore, andaj të kujdesemi për veten, që të mund ti ndihmojmë edhe të tjerët.