Vendi ynë po vazhdon që të jetë nikoqir i shumë ngjarjeve kulturore. E të gjithë ju që jeni duke menduar se si apo ku t’i kaloni pasditet në ditët në vazhdim, Radio KFOR-i ju njeh me disa prej ngjarjeve kulturore që do të organizohen në vendin tonë.
Ka qenë data 14 gusht, kur ka filluar ne kryeqytet tregu veror “Akull N’Verë”, për të sjellë çdo natë atmosferë fantastike para qindra e qindra pjesëmarrësve. Ky treg veror do të sjell edhe në ditët në vazhdim net të paharruara për audiencën me artistë të përzgjedhur. Sot, me 28 gusht, në kuadër të “Akull N’Verë” do të mbahet ‘Disco Night’, me muzikës të përzgjedhur nga Erleta Kadrija dhe Ylli Megi, për të vazhduar me datat 29 dhe 30 gusht të cilat janë të rezervuara për performancën e TBA. Eventet në kuadër të aktiviteteve “Akull N’Verë”, do të përmbyllen me datën 31 gusht, me performancën e bendit String-String.
– Sot (28 gusht), në Mitrovicë fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Jazz, në sheshin “Isa Boletini”. “Mitrovica International Jazz Days”, në hapje të festivalit, do të mirëpresë Richard Bonan, nga SHBA, fitues i çmimit Grammy, një nga basistët, kompozitorët dhe instrumentistët më me arritje në botë. Ndërsa në natën e dytë të festivalit të muzikës xhaz, do të performojnë këngëtarja dhe muzikantët e skenës evropiane të xhazit dhe asaj botërore, GANNA dhe ansambli i saj. Po në natën e dytë të festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, këngëtarja Elina Duni do të jetë e pranishme në skenë për të performuar, e shoqëruar nga Rob Luft, së bashku me dy miq të tjerë. Nata e mbylljes së këtij festivali, më 2 shtator, do të jetë e mbushur me emra të njohur të skenës jazz si dhe me fituesit e shumë çmimeve Grammy, Michael Legaue dhe Bill Lauraunce.
– Ndërkohë edhe shtatori është shumë premtues sa i përket ngjarjeve të shumta në vend. Është data 1 shtator kur fillon edicioni i radhës i “Festës së Vjeljes së Rrushit – Hardh Fest”, që mbahet çdo vit në Rahovec. Kjo festë e rrushit sivjet do të mbahet në datat 1 deri më 3 shtator.
– Ndërsa, me 3 shtator, kryeqyteti do të mirëpres edicionin e 4-të, të ‘Street Party Prishtina 2023’, i cili do të zhvillohet në rrugën ‘Fehmi Agani’ ose në pjesën e qytetit që njihet si ‘Kafet e Vogla’. Shumë muzikë, art, inovacion e dashni, premtojnë organizatorët ndërkohë tema e këtij edicioni është, “Për qytetin tonë!” si festë e krijimtarisë, artit dhe e muzikës, në Prishtinë. Shtatori e gjen edhe qytetin e Gjakovës me ngjarje të shumta kulturore, e një ndër to është edhe festivali i birrës. ‘Gjakova Beerfest’, është festivali që do të mbahet nga data 8 deri me 10 shtator, në Parkun e Qytetit, në Gjakovë.