Sikurse djemtë edhe vajzat janë ato që zgjohen çdo mëngjes me një dëshirë për të mësuar. Janë ato që ëndërrojnë të bëhen mjeke, mësuese, artiste, shkencëtare, sportiste apo thjesht të jenë ato që dëshirojnë të jenë. Por për shumë vajza, rruga drejt këtyre ëndrrave ende nuk është e barabartë. Në datën e sotme, 11 tetor, teksa shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të Vajzës”, nuk festojmë thjesht një datë në kalendar, sot ndalemi për të kujtuar miliona vajza në mbarë botën që kanë ëndrra, zëra dhe një të ardhme për të ndërtuar. Në shumë vende të botës, vajzat përballen me diskriminim, dhunë, martesa të hershme, varfëri dhe pengesa që kufizojnë të drejtën e tyre për arsim dhe për një jetë të sigurt. Dhe pas çdo statistike qëndron një vajzë e vërtetë, me një emër, një histori dhe një ëndërr. Prandaj, “Dita Ndërkombëtare e Vajzës” nuk duhet të jetë vetëm një ditë urimi, duhet të jetë një thirrje për veprim, ku për secilën vajzë duhet të krijojmë shkolla ku ajo ndihet e sigurt, të ndërtojmë familje ku zëri i saj dëgjohet, të krijojmë shoqëri ku vajza nuk gjykohet për atë që është, por mbështetet për atë që mund të bëhet.
“Një vajzë që mëson sot, mund të ndryshojë botën nesër”, andaj le t’u japim vajzave jo vetëm fjalë të bukura, por mundësi reale, arsim, siguri, respekt dhe hapësirë për të punuar, e realizuar ëndrrat e tyre.







