Evolucioni nuk ndodh brenda një dite, por zhvillohet përgjatë shumë brezave, duke kontribuar në larminë e jashtëzakonshme të organizmave që njohim sot. Përmes këtij procesi, shkencëtarët shpjegojnë lidhjet mes specieve dhe ndryshimet që kanë ndodhur në botën e gjallë përgjatë miliona vjetëve. Sot, më 24 nëntor shënohet ‘Dita e Evolucionit’, që lidhet me botimin e librit të famshëm të Charles Darwin, ‘Mbi origjinën e llojeve’, që u publikua më 24 nëntor, të vitit 1859. Kjo vepër ndryshoi mënyrën se si shkenca e kupton zhvillimin dhe diversitetin e jetës në planetin tonë.
Teoria e evolucionit përmes përzgjedhjes natyrore shpjegon se si organizmat e gjallë ndryshojnë nga një brez në tjetrin dhe si përshtaten me mjedisin gjatë periudhave të gjata kohore. Provat nga fosilet, gjenetika dhe studimet e specieve të ndryshme ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë këto procese.
Kjo ditë është gjithashtu një mundësi për të nxitur kureshtjen shkencore dhe për të kuptuar më mirë historinë e jetës në Tokë, nga organizmat e hershëm deri te speciet që bashkëjetojnë me ne sot.







