Data e sotme 25 nëntori, shënon “Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Një nga organizatat që në vazhdimësi angazhohet për luftimin e këtij fenomeni negativ dhe fuqizimin e grave në shoqëri është Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut, ku Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me kryetaren e kësaj Shoqate, Znj. Vetone Veliu, e cila na informoi më shumë për profilin e organizatës që ajo udhëheq: “Kjo është organizatë multietnike, ku si anëtare të organizatës janë gra shqiptare, serbe, rome edhe boshnjake. Edhe kjo shoqatë është e angazhuar për të promovuar dhe për të fuqizuar gratë në shoqëri, pjesëmarrjen në procese vendimmarrëse, pastaj në ndërtimin e paqes dhe në zhvillimin socio-ekonomik të tyre. Kryesisht veprojmë në regjionin e Mitrovicës, në të gjitha komunat. Ne punojmë me gra të nacionaliteteve të ndryshme dhe kjo tregon për qëndrueshmërinë, komunikimin dhe marrëdhëniet e shëndosha mes etnive të ndryshme brenda organizatës.”
Tutje, Znj. Veliu, për Radio KFOR-in ka përmendur disa nga aktivitetet me të cilat do të shënojnë edhe këtë vit ‘Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave’:
“Ne zakonisht si organizatë jemi iniciatorë të hapjes së fushatës, ku gjithmonë organizojmë ndonjë ngjarje në rrugë, me moto të ndryshme dhe këtë e bëjmë gjithmonë në bashkëpunim me Zyrën për Barazi Gjinore. Këtë vit nuk do të jemi në numër të madh për shkak të situatës me pandeminë. Ne po ashtu jemi pjesë e planit lokal të veprimit të Komunës së Mitrovicës, e cila ka të bëjë me parandalimin e dhunës familjare dhe brenda atij plani lokal kemi paraparë të përgatisim postera që do t’i shpërndajmë nëpër vende përkatëse. Kemi zgjedhur dy postera, njëri është për përgjegjësitë e institucioneve shëndetësore në mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje dhe do të vendoset në institucione shëndetësore në rajonin e Mitrovicës, ndërsa posteri tjetër ka të bëjë me përgjegjësitë e institucioneve arsimore në mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje. Posterat do të vendosen edhe në shkolla të rajonit të Mitrovicës.”
Në fund të intervistës, Znj. Veliu pati edhe një mesazh për të gjithë në shënimin e kësaj dite: “Çdo mesazh ka të bëjë me gruan, por unë do të dëshiroja që të punohet sa më shumë edhe me burra, sidomos me dhunuesit, sepse nëse e bëjmë vetëdijesimin dhe integrimin e dhunuesve, me siguri që dhuna ka me u ulë, e jo vetëm t’i marrim gratë si viktima, t’i trajtojmë dhe në fund ato të kthehen te dhunuesit. Atëherë, nuk kemi mbërri shumë. Duhet punuar sa më shumë në vetëdijesimin e dhunuesve dhe njohjen me mekanizmat mbrojtës, sepse shumë pak gra i njohin mekanizmat mbrojtës.”