Për nder të veprës bamirëse dhe kontributit të jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës, sot (5 shtator) shënohet ‘Dita Botërore e Bamirësisë’, e shpallur në vitin 2012 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të reflektuar mbi krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, për të ndihmuar lehtësimin e varfërisë në komunitetin ku jetojmë, përmirësimin e shërbimeve publike, arsimimin, mbrojtjen e fëmijëve, e të tjera.
Të shumta janë Organizatat Joqeveritare që operojnë në Kosovë, të cilat ndjekin shembullin e Nënës Terezës, për të ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë, e tillë është edhe OJQ “Për familjen në nevojë”. Në një prononcim për Radio KFOR-in, humanistja dhe aktivistja e OJQ-së “Për familjen në nevojë”, Rina Zeka, tregoi arsyen se pse merret me aktivitete bamirëse: “Dikur isha unë ajo që kërkoja ndihmë nga të tjerët dhe aty e kuptova se sa e rëndësishme dhe e nevojshme është të qenurit të bashkuar. Pikërisht nga ai moment, kam tentuar të bashkohem kudo që kërkohet ndihma e qytetarëve. Ata fëmijë, të cilët arrijmë sado pak ti gëzojmë, e di që nuk do të më mbajnë në mend mua, por dhuratat tona me shumë dashuri, do ti kujtojnë përjetësisht”, theksoi mes tjerash Rina.
Përveç nderimit të punës së palodhshme të Nënë Terezës, për të ndihmuar të tjerët të kapërcejnë varfërinë dhe vuajtjet, kjo ditë ofron një platformë që mundësitë e bamirësisë të shtohen. Nëse nuk mund të bëni një dhurim financiar më 5 shtator, ka ende shumë mënyra për t’u përfshirë ne këtë akt bamirës. Në përgjithësi, kjo ditë na kujton se veprimet e thjeshta të bamirësisë mund të lehtësojnë efektet më të këqija të krizave humanitare dhe të krijojnë shoqëri më gjithëpërfshirëse.