Aksidentet në trafikun rrugor, janë shkaku kryesor i vdekjeve për rreth 1.3 milion njerëz dhe mbi 50 milion njerëz të lënduar çdo vit. Me një mandat të veçantë Kombet e Bashkuara e shënojnë këtë javë, nga data 15 deri me 21 maj, në përkujtim të viktimave të aksidenteve në trafik, me aktivitete të shumta për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë dhe kujdesin në trafik.
Çdo vit, mijëra shkolla, organizata dhe komunitete, përfshihen për të ndarë mesazhe të rëndësishme të sigurisë rrugore, për të kujtuar njerëzit që kanë vdekur dhe janë lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.
Kombet e Bashkuara kanë hartuar ‘Planin Global për Dekadën e Veprimit për Sigurinë Rrugore 2021-2030’, që pasqyron një objektiv ambicioz, për të reduktuar vdekjet dhe lëndimet në trafikun rrugor me 50%, deri në vitin 2030. Ky raport përfshin mënyra se si mund të parandalohen aksidentet, veprimet që duhet ndërmarrë secili për sigurinë rrugore dhe kujdesin ndaj këmbësorëve.