Në Galerinë Kombëtare të Kosovës me datat 8 dhe 9 janar 2020, do të mbahet një punëtori dy ditore për artin, organizuar nga “BONEVET”.
Kjo punëtori do të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 12:00 dhe organizohet si pjesë e ekspozitës së parë solo në Kosovë të artistit nga Shkodra, Driant Zeneli.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Eglantina Avdiun, mentore në “BONEVET”, e cila tregoi më shumë rreth qëllimit të organizimit të kësaj punëtorie: “Punëtoria ‘Art nga BONEVET’ po mbahet në kuadër të një laboratori që ekziston në Galeri nga 19 dhjetori edhe ka me zgjat deri më 31 janar 2020. Ky laborator është pjesë e ekspozitës së Drian Zenelit, i cili në bashkëpunim me fëmijët e “BONEVET” ka krijuar edhe një film. Meqë java e dytë e janarit do të jetë java e artit, kemi vendosur që edhe ne si “BONEVET” të organizojmë këtë punëtori pikërisht për artin. Pjesë e kësaj punëtorie mund të bëhen të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë teknika të reja, pavarësisht moshës së tyre. Këto punëtori do të përfshijnë disa pjesë të artit, të cilat janë më të vjetëra dhe nuk janë aq shumë në përdorim, siç janë teknikat e punës me argjilë dhe teknikat e lashta të artit japonez, tenikat e palosjes së letrës, që njihen si teknika të origamit. Numri i pjesëmarrësve ka me qenë i kufizuar, vetëm 8 pjesëmarrës, për shkak të hapësirës së kufizuar në Galeri”, tha Eglantina për Radio KFOR-in.
Tutje, ajo u bëri thirrje të gjithë të interesuarve që të bëhen pjesë e kësaj punëtorie dhe të kenë interaksion me artin në mënyrë më direkte.
“BONEVET” është një hapësirë mësimore ku fëmijët inkurajohen të zbulojnë aftësitë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri.







