Bendi i ri muzikor “Sytë” sot (11.12.18), ishin të ftuar në emisionin e pasdites “Macchiato Lounge” te moderatorja, Trëndelina Duli. Ky bend i përbërë nga vokalistja dhe tekst-shkruesja, Nita Kaja, multi-instrumentisti, Drin Tashi si dhe Graniti Havolli në tupana, ofruan atmosferë të këndshme, duke treguar për punën e tyre si dhe për planet që i kanë si grup. Biseda e tyre filloi duke u fokusuar tek kënga e fundit, tashme e publikuar “Crying in the club”. Ata treguan se teksti i këngës pasqyron dashurinë e tyre reale, duke ditur që tashmë Nita dhe Drini veç janë një çift i dashuruar.
Nga ana tjetër, Granit Havolli, tregoi se bashkëpunimi me Nitën dhe Drinin është i mrekullueshëm si dhe ka qenë shume e lehtë për të, të kyçet me stilin që ata e kanë kërkuar.
Grupi muzikor “Sytë” kanë sjellur risi në tregun Kosovar, duke ofruar zhanret e muzikës R ‘n’ B, Soul si dhe Pop. Të pyetur se cilat janë risitë që ata do t’i ofrojnë së shpejti, ata thanë se në mesin e muajit janar pritet të bëhet publikimi i video-klipit të tyre dhe premtuan që prapë në atë kohë do të jenë mysafirë në studion e Radio KFOR-it.