Me moton “Beso në familje, me dashuri, pa dhunë”, mbrëmja e 15 dhjetorit në Parkun “Marriot Regent” në Londër, do të përbëhet nga njerëz që dëshirojnë të thyejnë heshtjen dhe të thërrasin për një mirëqenie të dinjitetshme, për dashuri pa dhunë.
Janë pikërisht bashkëvendasit tanë që jetojnë prej vitesh në Londër, ata të cilët vazhdimisht po organizojnë mbrëmje humanitare, për tu dalë në ndihmë atyre që përballen me kushte të rënda ekonomike dhe të sëmurëve me gjendje të rëndë sociale.
Adelina Badivuku, aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, e cila jeton dhe vepron prej vitesh në Londër, e cila nuk ka rreshtur së kontribuari për bashkëvendasit e saj, në një prononcim për Radio KFOR-in, na tregoi më shumë rreth këtij organizimi:
“Në vazhdën e mbrëmjeve të shumta që ne organizojmë, gjithmonë me përmbajtje humanitare, kësaj rradhe do ta mbajmë një mbrëmje, me një kauzë të përbashkët, për mbrojtjen e fëmijëve dhe grave”.
Të gjitha donacionet nga kjo mbrëmje i dedikohen Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fmijëve, në Prishtinë.