Fëmijët janë pasqyra e prindërve, e për të pasur fëmijë të edukuar në të gjitha sferat, ne si prindër duhet të jemi shembull i mirë për ta. Fëmijët duhet të na shohin neve me shembuj konkret, duke lexuar, punuar, pastruar etj., sepse fëmija në mënyrë instiktive më shumë kopjon atë çfarë sheh me sy, se sa atë se çfarë u themi të bëjnë.
Prandaj, të gjithë prindërit e kanë për obligim që të rrisin fëmijë të shëndetshëm, të shkolluar, fëmijë të cilët dinë të vlerësojnë familjen, komunitetin, natyrën, të vlerësojnë se çka është jetesa e shëndetshme, çka është vetë-përmirësimi, vullnetarizmi, vetëkontrolli, etj.
Ju do të keni një ndikim më të madh në jetën e fëmijëve tuaj nëse keni një marrëdhënie të ngrohtë dhe miqësore me ta dhe fëmijët tuaj kanë më shumë të ngjarë t’ju hapen juve nëse ndihen afër jush dhe mbështeten nga ju. Jepuni atyre dashuri të pakushtëzuar në një mjedis të sigurt që gjithashtu siguron një disiplinë të qëndrueshme dhe fleksibël në mënyrë që ata të dinë se çfarë pritet prej tyre. Radio KFOR-i ju jep disa këshilla se si të ndërtoni marrëdhënie të forta me fëmijët tuaj:
– Dëgjojini ata pa gjykim kur janë të mërzitur. Ndani ndjenjat tuaja me ta në mënyrë që ata t’ju njohin; ndajnë disa nga zgjedhjet dhe vendimmarrjet tuaja si shembuj për t’i udhëhequr ato.
– Gjeni mënyra për t’u argëtuar me ta, për të shkëmbyer interesa, për të shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit (përgatitja e një vakti, diskutimi i një shfaqje televizive, bëni sporte së bashku, etj.).
– Ndërtoni një lidhje me ta bazuar në besimin në mënyrë që ata të dinë se mund të mbështeten tek ju kur ju duheni dhe në mënyrë që ata të mësojnë të jua kthejnë besueshmërinë.
Psikologët e zhvillimit të fëmijëve gjithmonë e përsërisin se fëmijët mësojnë duke imituar të rriturit e më së shumti imitojnë prindërit e tyre ‘Ata kopjojnë çfarë ju bëni, më shumë se sa çfarë ju thoni të bëjnë’.