“Jeta nuk varet nga frymëmarrjet që marrim por nga momentet që na lene pa frymë”, kjo thënie ka përcjellur gjatë gjithë jetës fotografen e talentuar Aurelë Redinca nga Prishtina, e cila edhe pse me profesion është juriste nuk ka lejuar që fotografia të mbetet vetëm në sirtarin e ëndrrave dhe pasioneve të saj. Aurela pa dyshim kap momentet më të veçanta në jetë por edhe bukuritë e natyrës, momente të zakonshme të cilat nëpërmes aparatit të saj kthehen në krijime artistike. Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Aurelën, e cila tregoi se si shihet fotografia dhe dashuria për fotografinë në sytë e saj:
“Shumë herë e gjej veten duke mos ia ndarë sytë reflektimit të dritës tek ndonjë person, çoftë edhe i panjohur, e duke menduar me veten: “ah çfarë foto e mirë kish dal”. Më bën jashtëzakonisht të lumtur fakti që në momentet më të mira të njerëzve jam aty për t’i kapur. Pastaj fëmijët, disi sikur e kanë atë ndjenjen që je duke i fotografuar sado larg të jesh, disa shkojnë e fshihen duke i ruajtur me xhelozi çastet e lumtura vetëm për vete, e disa janë nga ata që me aq ëmbëlsi te dalin para për ti nda buzëqeshjet e gëzimet bashkë me ty. Fotografia për mua nuk është thjeshtë profesion që e kam zgjedhur ta ushtroj, është një ëndërr të cilën po e jetoj dhe kur gjërat bëhen me dashuri sado të veshtira janë rrethanat, gjithçka vjen e gjen vendin e vet me kohë, mjafton ti japësh drejtim rrugës që ke marrë dhe ta drejtosh me kujdes”.
Aurela ftoi të gjithë të rinjët dhe personat e tjerë që kanë pasione dhe dëshira dhe shpesh-herë hezitojnë të provojnë dhe të bëjnë atë që vërtetë duan sepse ëndërrat sado të mëdha të jenë, me pak mund, e shumë dashuri, realizohen. Mjafton të mos heqni dorë!