Ky fundvit vazhdon të jetë gjithnjë e më argëtues për të gjithë, posaçërisht për të vegjëlit, të cilët vazhdojnë t’i argëtojnë familjarët e tyre përmes koncerteve të ndryshme që përmbledhin një vit pune, argëtimi e përkushtimi.
Përmes koreografes dhe udhëheqëses së studios së baletit “Let’s Dance”, Vjollca Llugiqi, kuptuam më shumë detaje rreth këtij koncerti dhe përmbajtjes së tij:
“Do ta përmbyllim vitin me një shfaqje të përbashkët me korin e fëmijëve Okarina, ku i kemi bërë bashkë fëmijët që e duan artin, baletin dhe këndimin live dhe mund të them që fëmijët janë shumë të entuziazmuar për paraqitjet e tyre, e sidomos ata që për herë të parë do të dalin në skenë”, tregoi koreografja Vjollca Llugiqi, e cila u shpreh shumë e lumtur që është inicuese e realizimit të ëndrrave të fëmijëve, për të mësuar një art kaq të vështirë, siç është baleti, ku përfshihen vallëzimi, muzika dhe aktrimi.
Kjo shfaqje do të jepet me datën 22 dhjetor, në ora 13:00, në Kino Armata dhe Radio KFOR-i uron që këta fëmijë në një ardhme të afërt të bëhen artistë të mëdhenj, me të cilët do të krenohemi të gjithë.