Në kuadër të kampanjës së artistëve, që po zhvillohet këtë muaj në Radio KFOR, sot (21.10.22) në studio kishim të ftuar artistin e tatuazheve, z. Betim Kadriu, i cili është edhe pjesë e bendit heavy metal BMV.
Për dëgjuesit e Radio KFOR-it, ai ndau rrugëtimin e tij artistik të artit në lëkurë: “Tatuazhet më kanë pëlqyer që nga fëmijëria. Gjatë kohës së studimeve kur isha në Austri, diku para 15 vitesh, kur kam parë dikë që ka tatuazhe, fillova të inspirohem dhe të merrem me këtë art. Fillimisht ky art ishte si hobi për mua, pastaj kur e kam përvetësuar e kam vazhduar në mënyrë më profesionale. Tatuazhi që më ka marrë kohë më së shumti për tu realizuar, ka zgjatur 6 muaj, ndërsa tatuazhi pa pauzë që e kam realizuar, ka zgjatur 16 orë.”
Artisti i tatuazheve, z. Kadriu, pati edhe një këshillë për të gjithë ata të cilët duan të bëjnë tatuazhe: “Gjithmonë shkoni tek një profesionist, sepse gjeja primare është higjiena, sepse me këtë art mund të merrni infeksione të ndryshme. Tatuazhet duhet të bëhen nga profesionistët. Për personat që duan të bëjnë tatuazhe nën moshën 18 vjeçare, duhet të kenë prezentë edhe prindërit. Unë kam edhe faqen time zyrtare në Facebook dhe Instagram, për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të shohin punën time artistike, mund të më kërkojnë me emrin ‘Heavy Ink Pr’.”
Sa i përket pjesës tjetër të hobit të tij, pjesës artistike muzikore, ai gjatë emisionit foli edhe për bendin BMV, në të cilin ai bën pjesë si vokalist dhe tha se i përket zhanrit hard rock, metal dhe hip hop. Bendi BMV, është i përbërë nga pjesëtarët: Violandi (Bateri), Florenti (Kitarë) dhe Atdheu (Bass). Bendi në fjalë tanimë kanë në treg albumin e tyre të parë dhe mund ta gjeni edhe në kanalin e tyre zyrtar në YouTube si dhe Betimi zbuloi në Radio KFOR, se ata janë duke punuar në publikimin e studio albumit të tyre të dytë me radhë.