“Unë nuk dua që jeta të imitojë artin. Dua që jeta të jetë art”, ka thënë kështu aktorja dhe shkrimtarja amerikane, Carrie Fisher dhe kjo është njëra ndër qindra e mijëra citatet që kanë për qëllim të shprehin me fjalë, atë që arti e thotë me të parë. E shumë art dhe krijime të artistëve, qytetarët e Kosovës tashmë kanë mundësi të shohin në hapësira të ndryshme publike. Një nga këta artistë, është edhe drejtoresha e MuralFest, Lebibe Topalli, e cila përmes frekuencave të Radio KFOR-it foli për rëndësinë që ka arti në përditshmërinë e secilit nga ne: “Arti është i pafundmë, diçka e bukur, diçka estetike dhe që secili ka nevojë të shoh diçka të bukur, të konsumojë diçka të bukur. Arti është nevojë shpirtërore e secilit person dhe diçka që përmbushë ditën e secilit njeri. Imagjinojeni se si do të ishte jeta pa art, pa muzikë ose e pa arte të bukura dhe rryma të tjera të artit. Artisti krijon për të përmbushur veten e tij emocionalisht dhe për të nxjerrë në pah, brendësinë e tij. Kohëve të fundit po bëjmë shumë art në vende publike dhe qëllimi është që t’u ofrojmë qytetarëve mundësinë që të ‘konsumojnë’ art, të shohin diçka të bukur dhe kështu secili të ndikohet pozitivisht.”
Znj. Topalli, gjithashtu na informoi se është duke bashkëpunuar me UN Woman dhe së fundmi është në proces të krijimit të muralit në kuadër të projektit për të drejtat e grave, projekt ky që do të shtrihet paralelisht në disa vende Evropiane. Ndërsa, sa i përket MuralFest, artistja na tregoi se janë në përgatitje të edicionit të 6- të, të festivalit i cili sivjet krahas Ferizajt, do të zgjerohet edhe në Gjakovë.