Duke qenë se tashmë rriqrat kanë filluar të pickojnë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, vazhdon të bëjë thirrje për kujdes të shtuar nga rriqrat.
Se në cilat rajone paraqiten më shumë këto insekte dhe se si duhet të mbrohemi nga pickimi i tyre, na tregon drejtori i IKSHP-së, Dr. Naser Ramadani.
“Sëmundja paraqitet në rajone të caktuara të Kosovës, në disa komuna endemike, si Malisheva, Suhareka, Rahoveci dhe Klina dhe sëmundja është sezonale e zakonisht bartet përmes pickimit të rriqrave, por për fat të mirë, prej vitit 2013, nuk kemi pasur më raste fatale në vend, për shkak të masave parandaluese” ka thënë për Radio KFOR-in, z. Ramadani.
Drejtori Ramadani, poashtu rikujton të gjithë qytetarët se cilat janë këto masa parandaluese që ju mbajnë larg pickimit të rriqrave.
“Të mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre, nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, duhet të vishni rroba të gjata dhe pantallonat t’i fusni nën çorapë, të përdorni preparate me të cilat lyeni pjesët e trupit, të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën), të kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër, nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt dhe të mbani në nivelin më të lartë higjienën personale.”
Rriqrat kanë përmasat e mushkonjave të zakonshme, por kanë një pickim të dhimbshëm dhe agresiv që shkakton irritim të lëkurës.