Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve për një të ardhme paqësore”, “UN Women Kosovo”, ka organizuar “Kampin Veror të Avokimit”, i cili do të përfshijë vajza të reja nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, të cilat do të kenë mundësi të shkëmbejnë idetë e tyre duke krijuar miqësi të reja dhe të mësojnë më shumë për çështje avokuese.
Për të mësuar më shumë rreth këtij kampi Radio KFOR-i, zhvilloi një intervistë me menaxheren e këtij projekti, Rozafa Kelmendi, e cila tregoi për qëllimin e këtij projekti:
“Kampi veror i avokimit do të organizohet në dy fundjava në Prizren, ku do të mblidhen 30 vajza nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe ka për qëllim që ato të mësojnë më shumë për shkathtësi dhe strategji të ndryshme për avokim. Prandaj, ky kamp do t’i jap atyre mundësi të re për të parë rrugë të reja për të avokuar për çështje që janë në interes të tyre”.
Rozafa tregoi se në këtë kamp do të ketë ligjërues të ndryshëm të cilët do të ligjërojnë për strategjitë e avokimit, diskutim publik, shkrim të projekteve dhe ky kamp do t’i ndihmojë vajzat për të takuar aktivistë të rinj të cilët kanë bërë ndryshime në komunitetet e tyre, po ashtu do të jetë një mundësi për të shkëmbyer përvoja me bashkëmoshatarët e tyre.
Projekti i lartpërmendur është mbështetur nga Fondi i OKB-së për Ndërtimin e Paqes, dhe është implementuar nga “UN Women”, UNDP-UNV dhe UNICEF.