Dita e sotme, 28 tetori, shënon një festë për të përkujtuar ditën kur animacioni u shfaq për herë të parë para shikuesve apo për të nderuar lindjen e animacionit dhe shfaqjen e parë publike të imazheve lëvizëse, të projektuara.
Ishte data 28 tetor, e vitit 1892, kur në Muzeun ‘Grévin’, të Parisit, z. Charles-Émile Reynaud prezantoi për herë të parë animacionin ‘Théâtre Optique’ (Teatri Optik), produksionin me emrin “Pantomimes Lumineuses” dhe për të nderuar veprën e tij, data e sotme, 28 tetori, çdo vit shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Animacionit’. Animacioni në ditët e sotme është zhvilluar shumë, mirëpo vlen të përmendim edhe krijimin e filmit të parë të animuar, i cili u krijua në vitin 1908, nga artisti francez, z. Émile Cohl. Ndërsa, një prej gjigantëve të prodhimit të filmave të animuar ‘Walt Disney’, u krijua në vitin 1923, kur vëllezërit, z. Walt dhe z. Roy O. Disney, themeluan kompaninë më të madhe të animacionit në botë.
‘Ditën Ndërkombëtare të Animacionit’, mund ta festoni duke shikuar filmat tuaj më të preferuar vizatimorë, që të kujtoni fëmijërinë tuaj.