Krahas sigurisë, misionit të paqes e paanshmërisë, pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë në vazhdimësi po u ndihmojnë të gjithëve në Kosovë, në sfera të ndryshme. Dje (27 tetor), në komunën e Vitisë, me iniciativë të pjesëtarëve të KFOR-it të Bondsteel-it, është mbajtur “Konferenca e II-të” e kryetarëve të komunave të juglindjes, si ai Gjilanit, Ferizajt, Kamenicës, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Vitisë, Kllokotit, Parteshit, Ranillukut, Artanës dhe të tjerë si dhe përfaqësues të Eco-Higjiena dhe Hidromorava.
I pranishëm në konferencë ishte edhe Lejtnant Kolonel, Eddie Simpson, nga Komanda Regjionale – Lindje KFOR 30, ( KFOR 30, RC-E COMMANDER), i cili për Radio KFOR-in tregoi rëndësinë që kanë takimet e tilla në mes të kryetarëve, e veçanërisht kjo konferencë, për të adresuar dhe zgjidhur problemet me të cilat përballen njerëzit, në komunat që i përkasin: “Rëndësia është padyshim që Kryetarët e Komunave, të zotërojnë komunën e tyre dhe të jenë në gjendje të kenë marrëveshje të përbashkëta, të jenë në gjendje të punojnë së bashku për të njëjtat çështje që ata i ndajnë. Mendoj se gjëja më e mirë është se të gjithë shkojnë mirë me njëri tjetrin dhe punojnë së bashku. Dhe kur e them këtë, ata kanë raporte shumë të mira ndërmjet vete në jug dhe ky është mesazhi i përbashkët që duhet ta shpërndajmë në të gjithë Kosovën.”
Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, që njëherit ishte edhe komuna nikoqire e konferencës, u shpreh falënderues ndaj KFOR-it për këtë iniciativë duke treguar gjithashtu se mëtojnë që përmes konferencës të adresojnë dhe të shohin mundësitë e bashkëpunimit ndër komunal për të zgjidhur ndër të tjera edhe problemin e ujit të pijes: “Sot po e mbajmë “Konferencën e II-të”, që e kemi organizuar së bashku me kampin e Bondsteel-it. Ne si komunë jemi nikoqire, por iniciatorë janë Komandanti dhe Zv. Komandanti i Bondsteel-it, së bashku me Ekipin Ndërlidhës Monitorues (LMT). Natyrisht, unë e falënderoj KFOR-in për përkrahjen dhe punën e madhe. Këtë vit unë vullnetarisht kam zgjedhur që kësaj radhe me qenë nikoqir i një organizimi të tillë, që vërtetë i ka shtyrë disa procese përpara në të cilat kemi pasur deficite, për shembull ne kemi nënshkruar me GIZ-in gjerman menjëherë pas konferencës së kaluar, që është mbajtur në Gjilan, ‘Memorandumin për Menaxhimin e Mbeturinave’ dhe jam i gëzuar, sepse konferenca e kaluar, ka qenë një katalizator që ka shtyrë përpara një proces në të mirë të të gjithëve. Sot presim që ta shtyjmë përpara çështjen e ujit të pijes, meqë Kosova përballet me mungesë uji të pijes, në përgjithësi, e në veçanti komune e Vitisë me rrethinë. Prandaj, dëshirojmë që së bashku me donatorë dhe në bashkëpunim me të gjitha komunat pjesëmarrëse dhe në mënyrë ekipore të bëjmë më shumë dhe të mundohemi të shfrytëzojmë konferencën si bashkëbisedim që këto procese t’i shtyjmë përpara dhe të jemi në shërbim të të gjithë njerëzve.”
Kryetarët e komunave, që ishin të pranishëm në “Konferencën e II-të”, patën mundësi që të takojnë dhe të prezantohen me paqeruajtësit e 31-të, të KFOR-it.