E mbushur me ngjarje të shumta kulturore, do të jetë edhe kjo javë e fundit e muajit prill. Disa nga ngjarjet më të rëndësishme që priten të zhvillohen në vendin tonë, do ju sjellim në vijim.
– Community Building Mitrovica dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) ftojnë të gjithë art dashësit që t’ju bashkoheni në një mbrëmje plot festë me poezi dhe muzikë, sonte (26.04.23), nga ora 19:00. Kjo mbrëmje me poezi dhe koncert, do të sjellë 3 grupe muzikore lokale, dhe zhanre të shumta muzikore në skenën e hapësirës të Defy Them. Kjo ngjarje është pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve, të zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët nga Iniciativa Sociale e Re dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë dhe e mbështetur nga populli amerikan përmes USAID-it në Kosovë.
– Për të kremtuar ‘Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit’, IPKO Foundation, në partneritet me R.I.T Kosovo dhe Women in Tech Kosovo, do të sjellin edicionin e 8-të të Konferencës “Vajzat në TIK”. Konferenca këtë vit po organizohet nën patronatin e iniciativës së Komunës së Prishtinës #VAJZATNËTIK23. Konferenca do të mbahet të enjten e fundit të muajit, 27 prill, 2023, në hapësirat e universitetit RIT Kosovo (A.U.K), duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 15:00, me një seri aktivitetesh të planifikuara, me fokus të veçantë në demistifikimin e Inteligjencës Artificiale.
– Në sallën ‘1 Tetori’, në Prishtinë, nga data 27 prill deri më 28 prill, do të organizohet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sportit (Tourism & Sport Fair), duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sporteve është një ngjarje promovuese dhe komerciale për sektorin e turizmit dhe sportit. Ky edicion shpalos një gamë të gjerë destinacionesh dhe atraksionesh turistike, sportive dhe oferta të ndryshme nga një numër i madh agjencish turistike, biznesesh, institucionesh nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
– Po në sallën ‘1 Tetori’, në Prishtinë, nga data 27 prill deri më 28 prill, do të organizohet edhe Panairi i Edukimit (Education Fair), dy ditë, nga ora 13:00 deri në orën 18:00. Ky panair kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve për informacionin, përzgjedhjen dhe avancimin profesional si dhe disponueshmërinë e fondeve (bursat, praktikat dhe punësimet).