Organizuar nga Filharmonia e Sofies, mbështetur nga Ministria e Kulturës së Bullgarisë, sopranoja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi përfaqësuan Kosovën në Festivalin Europian të Muzikës në Sofie të Bullgarise.
Ishin të shumtë ata që kishin zënë ulëset në ‘Chamber Hall’ të Filharmonisë së Sofies, për të ndjekur këtë koncert të muzikës klasike, ku dy artistet tona performuan vepra të ndryshme.
Radio KFOR-i kontaktoi artistet Adelina Paloja dhe Lule Elezi për të kuptuar emocionet që kishin marrë nga ky Festival.
“Jemi ndjerë jashtëzakonisht të nderuara nga paraqitja jonë atje dhe nga duartrokitjet që kemi marrë nga një audiencë shumë e zgjedhur, që kishin ardhur për të na ndjekur, prandaj e tëra që mund të them është që kjo paraqitje e jona atje, do të na mbetet gjatë në kujtesë” , thanë mes tjerash, Adelina dhe Lulja.
Në këtë mbrëmje të muzikës klasike u interpretuan veprat e artistëve të shquar si: Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Rexho Mulliqi, Avni Mula, Rauf Dhomi, Baki Jashari, Kreshnik Aliçkaj, etj.