Moti i ftohtë, shiu dhe ditët e shkurtra nuk duhet të jenë arsye për të hequr dorë nga aktiviteti fizik. Ekspertët e shëndetit rekomandojnë që lëvizjet fizike të mbeten pjesë e rutinës së përditshme, edhe gjatë muajve të ftohtë, pasi aktiviteti fizik ndikon pozitivisht në shëndetin e zemrës, forcimin e muskujve dhe mirëqenien mendore.
Kur temperaturat bien dhe kushtet atmosferike nuk favorizojnë aktivitetet në natyrë, ekzistojnë alternativa të shumta për të qëndruar aktivë edhe brenda shtëpisë.
Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të rriturit duhet të synojnë 150 deri në 300 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar në javë, ose 75 deri në 150 minuta aktivitet intensiv.
Ecja në vend, ushtrimet e lehta për forcimin e muskujve, joga dhe vallëzimi janë disa nga aktivitetet që mund të realizohen pa pajisje të veçanta. Një tjetër alternativë është shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura, si palestrat, qendrat sportive apo edhe shkallët e ndërtesave, për të ruajtur aktivitetin fizik.
Edhe në ditët më të ftohta, disa minuta lëvizje janë më të mira se mungesa e plotë e aktivitetit. Kujdesi për shëndetin nuk njeh stinë, ndaj aktiviteti fizik duhet të mbetet pjesë e përditshmërisë gjatë gjithë vitit.







