Ndërgjegjësimi, paralajmërimi i hershëm dhe përgatitja e komuniteteve janë thelbësore për mbrojtjen e jetës dhe zvogëlimin e pasojave të cunameve. Çdo vit, më 5 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Cunami’, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2015. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun që paraqesin cunamet dhe të theksojë rëndësinë e sistemeve të paralajmërimit të hershëm. Cunamet janë valë të fuqishme detare, të cilat zakonisht shkaktohen nga tërmetet nënujore. Ato mund të shkaktojnë përmbytje, dëme të mëdha materiale dhe humbje të jetëve njerëzore, veçanërisht në zonat bregdetare.
Sistemet efektive të paralajmërimit të hershëm u mundësojnë njerëzve të marrin informacionin në kohë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për evakuim dhe mbrojtjen e jetës.
Kjo ditë shërben si një kujtesë e rëndësishme se informimi, vetëdijesimi dhe përgatitja paraprake janë ndër mekanizmat kryesorë për zvogëlimin e rrezikut dhe të pasojave nga fatkeqësitë natyrore.







