Profesioni i berberit ka një histori të gjatë, që daton që nga qytetërimet e lashta. Me kalimin e kohës, ai është shndërruar në një kombinim të mjeshtërisë tradicionale, kreativitetit dhe stilit modern.
Sot, berberët nuk kujdesen vetëm për pamjen e klientëve të tyre. Ata ndjekin trendet më të reja të modës, zhvillojnë teknika artistike dhe krijojnë stile që shpesh shërbejnë si formë e shprehjes personale. ‘Dita Botërore e Berberëve’ e cila shënohet sot, vlerëson një profesion që prej shekujsh ka qenë shumë më tepër sesa kujdes për flokët dhe mjekrën. Berberët janë konsideruar gjithmonë figura të rëndësishme në komunitet, ndërsa sallonet e tyre kanë qenë vende ku njerëzit jo vetëm rregullohen, por edhe bisedojnë, shkëmbejnë histori dhe krijojnë lidhje shoqërore.
Dita e sotme është një mundësi për të njohur punën, talentin dhe përkushtimin e profesionistëve të këtij sektori, të cilët me gërshërë, makinë rroje dhe shumë kreativitet vazhdojnë ta mbajnë gjallë një nga profesionet më të vjetra dhe më të dashura në botë.







