Shtatori shënon ‘Muajin e Muzikës Klasike’, kushtuar bukurisë, historisë dhe ndikimit të muzikës klasike në kulturën botërore. Kjo traditë e festimit nisi në vitin 1994, kur presidenti amerikan Bill Clinton e shpalli shtatorin, muajin e muzikës klasike.
Nga Johann Sebastian Bach, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Ludwig van Beethoven, te Frédéric Chopin, Pyotr Ilyich Tchaikovsky dhe shumë kompozitorë të tjerë, muzika klasike ka krijuar vepra që vazhdojnë të dëgjohen dhe të frymëzojnë breza të rinj.
Por muzika klasike nuk i përket vetëm një periudhe apo një stili. Ajo përfshin epoka të ndryshme, nga Mesjeta dhe Rilindja, te Baroku, periudha Klasike, Romantizmi dhe muzika moderne. Për shumë njerëz, ky muaj është një mundësi për të zbuluar ose rizbuluar kompozitorë, instrumente dhe vepra të njohura, qoftë përmes një koncerti, një regjistrimi apo thjesht duke dëgjuar një pjesë të re.
Shtatorin, dëgjoje pak më ndryshe. Ndoshta një tingull i vjetër do të bëhet muzika jote e preferuar.







