Bota e teknologjisë po sjell zhvillime të shumta interesante. Kompania Avenir Telecom ka prezantuar telefonin e ri Energizer P-30K Apex, i cili vjen me një bateri gjigante prej 30,000 mAh që mund të zgjasë deri në një muaj pa karikim. Pajisja ofron performancë të lartë dhe pritet të dalë në treg në qershor të vitit 2026, me çmim rreth 399 euro.
Ndërkohë, inteligjenca artificiale po avancon edhe në rrjete sociale. Është krijuar platforma Moltbook, ku agjentët e AI komunikojnë mes tyre, ndërsa njerëzit vetëm mund t’i vëzhgojnë këto ndërveprime. Platforma tashmë ka rreth 1.5 milionë përdorues AI.
Por zhvillimi i AI po sjell edhe shqetësime. Një studim nga University of Cambridge tregon se lodrat me inteligjencë artificiale mund të keqkuptojnë emocionet e fëmijëve dhe të ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre, duke ngritur nevojën për rregulla më të rrepta sigurie.
Në anën tjetër, shqiptarja që po udhëheq inovacionin në inteligjencën artificiale dhe njëra nga mendjet kryesore pas zhvillimit të AI modern, Mira Murati, po vazhdon sukseset në fushën e Inteligjencës Artificiale. Kompania e saj ka nisur bashkëpunim me Nvidia, për zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Në anën tjetër, platforma X pritet të ndryshojë sistemin e verifikimit në Bashkimin Evropian, pas një gjobe prej 120 milionë euro, për shkelje të rregullave digjitale dhe mungesën e transparencës.







