Uji është burim themelor i jetës. Ai është thelbësor për shëndetin, bujqësinë, energjinë dhe zhvillimin ekonomik. Megjithatë, miliona njerëz në botë ende përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe kushte të papërshtatshme sanitare.
Sot në mbarë globin shënohet ‘Dita Botërore e Ujit’, dedikuar ndërgjegjësimit për rëndësinë jetike të ujit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Kjo ditë synon të theksojë nevojën për ruajtjen dhe mbrojtjen e burimeve ujore si dhe për përdorimin e përgjegjshëm të këtyre burimeve. Ndryshimet klimatike, ndotja dhe shfrytëzimi i pakontrolluar po rrezikojnë seriozisht rezervat e ujit në shumë vende.
Mesazhi i kësaj dite është i qartë ‘Çdo pikë uji ka vlerë’. Ruajtja e tij sot është garanci për jetën e brezave të ardhshëm.







