Për të ndihmuar fëmijët që po trajtohen në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Replay Peace”, z. Burim Krasniqi, ka dorëzuar sot (04.06.25), një pjesë të fondeve të mbledhura nga Minimaratona Humanitare “Të vrapojmë së bashku me fëmijët 2025”, e cila ishte mbajtur më 24 maj, në Prishtinë.
Në këtë aktivitet humanitar ishte i pranishëm edhe zëvendës shefi i CIMIC-ut në Komandën Regjionale Lindje të KFOR-it, (SFC) Cory Grogan, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve, e sidomos për këtë kategori: “Është me të vërtetë diçka e veçantë, që të kemi mundësi të ndihmojmë fëmijët këtu në Kosovë. Mesazhi im për qytetarët e Kosovës, është që KFOR-i është këtu për t’ju mbështetur dhe ne, dëshirojmë të shohim një Kosovë të begatë.”
Mirënjohje për këtë iniciativë shprehu edhe krye-infermierja e Repartit të Hemato-Onkologjisë, znj. Edita Ramadani-Krajkova, e cila tha: “Aktiviteti i sotëm na ka gëzuar shumë. Falënderojmë nga zemra KFOR-in dhe të gjithë ata që ndërmarrin këso lloj iniciativash. Buzëqeshja e fëmijëve është gjëja më e rëndësishme për ne.”
Ky aktivitet është një shembull i fuqisë së bashkëpunimit ndërmjet organizatave lokale dhe KFOR-it për të përkrahur të gjithë banorët e Kosovës!







