Ndryshimet klimatike janë reale, vera është më e nxehtë, dimrat më të butë, përmbytjet më të shpeshta. Tashmë, biodiversiteti është në rrezik dhe si pasojë çdo vit, zhduken qindra specie. Gjithashtu, plastika, ndotja dhe mbetjet po rrezikojnë tokën dhe oqeanet tona. Për këto arsye të lartpërmendura dhe shumë arsye të tjera, data e sotme 5 qershori, shënon ‘Ditën Botërore të Mjedisit’, një thirrje globale për të mbrojtur natyrën dhe për të vepruar kundër krizave mjedisore si ndryshimet klimatike, ndotja dhe shkatërrimi i biodiversitetit.
Kjo ditë është shënuar për herë të parë në vitin 1974 dhe që atëherë është shndërruar në një platformë kyçe për sensibilizimin e publikut dhe angazhimin e qeverive, bizneseve dhe qytetarëve në mbrojtje të mjedisit.
Kjo ditë këtë vit shënohet me temën “Rindërto për Natyrën”. Fokusi është restaurimi i ekosistemeve, rikthimi i jetës në pyjet, tokat, lumenjtë dhe oqeanet e dëmtuara. Restaurimi nuk do të thotë vetëm të mbjellim pemë, por të rimëkëmbim gjithçka që natyra ka humbur për shkak të ndotjes, shpyllëzimit dhe shfrytëzimit të tepruar.







