Ishte Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e cila në vitin 2007, miratoi Rezolutën 61/225 duke përcaktuar datën e sotme, 14 nëntorin si ‘Ditë Botërore të Diabetit’. Kjo rezolutë njohu nevojën urgjente për të ndjekur përpjekje shumëpalëshe për të promovuar dhe përmirësuar shëndetin e njeriut si dhe të sigurojë qasje në trajtim dhe edukim të kujdesit shëndetësor.
Rezoluta gjithashtu inkurajoi shtetet anëtare, që të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila ndodh kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund të përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon. Kjo çon në një përqendrim të rritur të glukozës në gjak (hiperglicemia).