Nga nesër, data 15 nëntor e deri më 15 mars, 2024, automjetet që marrin pjesë në trafikun rrugor në Kosovë, janë të obliguara t’i kenë pajisjet dimërore. Kështu thotë ligji për rregullat e trafikut rrugor, i cili parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa vendosjen e pajisjeve dimërore. Sipas dispozitave të trafikut, të gjithë ngasësit e automjeteve, pjesëmarrës në komunikacion, gjatë sezonit dimëror janë të obliguar që të posedojnë pajisjet e domosdoshme dimërore, si gomat e dimrit, zinxhirë, etj., pajisje këto të cilat duhet të mbahen në makinë pavarësisht motit, në të kundërtën parashihen dënime për ngasësit e automjeteve.
E disa këshilla se si të ngisni makinën gjatë stinës së dimrit, të publikuara nga Policia e Kosovës, janë:
– Operatori i pajisjeve nuk mund t’ju shohë dhe dukshmëria e juaj është e kufizuar për shkak të reshjeve të dëborës, mbani distancë për sigurinë tuaj.
– Të gjitha pasqyrat dhe dritaret duhet të jenë plotësisht të pastruara, për të përmirësuar dukshmërinë, por mos harroni të pastroni kapakun mbi motor, kulmin dhe kapakun tek bagazhi.
– Pneumatikët (rrotat) e dimrit janë të shënuar me shenjë M+S, MS, M&S ose ndonjë shenjë tjetër identifikuese nga prodhuesi i pneumatikëve.
– Kontrolloni filtrat (ajrin, vajin dhe lëndët djegëse), zëvendësojeni ato nëse është e nevojshme.