Në pjesën e dytë të muajit shtator, ngjarjet kulturore veç sa vijnë e shtohen. Për artdashësit, kjo javë do të jetë shumë e pasur me aktivitete kulturore që mund ti ndiqni gjatë këtyre ditëve në vijim:
Më 20 shtator, ngjarja filantropike ‘Let’s Dance’, vazhdon me edicionin e 7-të në mbështetje të nënave dhe fëmijëve në Kosovë! Mbrëmja do të përfshijë muzikë, rrjetëzim, argëtim, ushqim dhe pije. Gjatë mbrëmjes do të shoqëroheni nën tingujt e bukur të muzikës nga bendi i mirënjohur Gipsy Groove, Nita Latifi & Band dhe DJ Wise. ‘Let’s Dance 7’ do të mbahet më 20 shtator, 2023, në AMC Hall, në Magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, duke filluar nga ora 19:30.
Me datën 21 shtator, në ‘Ditën Ndërkombëtare të Paqes’, do të organizohet aksioni rrugor në sheshin “Nënë Tereza”, me fillim prej orës 12:00. Kjo ditë shënohet me reflektim kolektiv mbi të kaluarën, solidaritet në të tashmen dhe diskutim rreth asaj se si e shohim ndërtimin e paqes tutje. Ky aktivitet mbështetet nga NED dhe USAID.
Në po të njëjtën ditë, me 21 shtator, në Tiranë do të shfaqet dokumentari “Bekim Fehmiu”, nga Valmir Tertini. Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit. Dokumentari jepet në Kinemanë Millennium, në Tiranë.
Dy ditë më vonë, më 23 shtator, do të filloj edicioni i 21-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, në Tiranë. Aty do të prezantohen 200 premiera të filmave me metrazh të gjatë dhe të shkurtër. Risia e këtij viti, është se filmi fitues i metrazhit të shkurtër, do të jetë automatikisht në garë për të marrë pjesë në Academy Awards “OSCAR” dhe European Film Awards. Festivali i filmit do të zgjasë deri më 29 shtator, 2023.