‘Muaji i Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjeve’ i cili çdo vit shënohet në muajin shtator, u dedikohet të ofruarit ndihmë atyre që kanë nevojë, për t’ju dhënë atyre vëmendje, këshilla si dhe edukimin adekuat. Muaji shtator na kujton të gjithëve, se ne mund të kemi një ndikim të madh në shoqëri dhe të jemi pranë atyre që mund të jenë në kriza të ndryshme.
Për të shënuar këtë muaj, në lidhje me këtë fenomen shqetësues, Radio KFOR-i kontaktoi Psikologun, Arbër Zeka, i cili mes tjerash nënvizoi: “Një dhimbje e thellë në shpirtin tuaj të vetë-diagnostikuar, si p.sh. dëshpërim, humbje, keqardhje, ankth, e ndoshta i/e padëshiruar nga familja, shkëputje nga të tjerët, mund të jenë këto rrugë të vështira, të cilat mund të shpien deri tek më e keqja. Merrni masa kur shihni shenja të tilla apo paralajmëruese, se dikush po mendon për vetëvrasje. Flisni me personin, bëhuni të ndjeshëm dhe të drejtpërdrejtë, nxiteni personin të kërkojë ndihmë. Mbështetja dhe ndihma janë në dispozicionin tuaj. Askush nuk duhet të luftoj i vetëm, me ndjenja të vështira. Nëse ne si shoqëri do të dhuronim më shumë dashuri, mundësitë për të ulur numrin e vetëvrasjeve janë të mëdha.”
Vetëvrasja është fenomen kompleks që rezulton si pasojë e një ndërthurjeje të një sërë faktorësh, qofshin ata psikologjik, social, biologjik, kulturor dhe mjedisor. Çrregullimet mendore, veçanërisht depresioni dhe çrregullimi i përdorimit të alkoolit, përbëjnë një faktor rreziku madhor për vetëvrasjen. Për këtë arsye, identifikimi dhe trajtimi në kohë i problemeve të shëndetit mendor, ka një ndikim pozitiv në parandalimin e vetëvrasjeve.