Përmbledhjen javore këtë herë, e fillojmë me kompaninë Disney, e cila ka humbur mbi 4 milionë abonentë, në tre muajt e parë të këtij viti. Shtëpia e “Mickey Mouse”, “Star Wars” dhe filmave “Marvel”, është nën presion për ta bërë biznesin fitimprurës, ndërsa shumica e humbjeve të abonentëve erdhën nga shërbimi i tij Hotstar në Azi, i cili humbi të drejtat e transmetimit në ndeshjet indiane, vitin e kaluar. Inteligjenca artificiale ka qenë në krye të diskutimeve teknologjike. Përdoruesit janë shprehur të shqetësuar se chatboti i aplikacionit Snapchat ‘My AI’, po e gjurmon në mënyrë të fshehtë vendndodhjen e tyre, derisa të tjerë po përpiqen me dëshpërim ta fshijnë atë. Chatboti i Snapchat, fillimisht ishte lansuar për abonentët me pagesë, e më pas edhe për përdorim të gjerë globalisht tek përdoruesit.
Kur jemi tek inteligjenca artificiale, e njëjta nga tani e tutje do t’u tregojë edhe përralla fëmijëve. Është Amazon, që ka plane të mëdha për shërbimin Alexa, duke futur inteligjencën artificiale në pajisjet e saj ndërvepruese, duke përfshirë një veçori të re të tregimit të përrallave, që synon një audiencë familjare.
Të reja teknologjike këtë javë kemi edhe nga Kosova. Emerging Europe ka publikuar raportin ‘Future of IT 2023’, duke dhënë një panoramë rajonale të sektorit të teknologjisë dhe informacionit në rajon, talentin, infrastrukturën, impaktin ekonomik dhe ambientin e biznesit si dhe hapësirën për rritje potenciale. Sipas botimit të vitit 2023, raporti përfshin edhe Kosovën. Rumania dhe Kosova ishin vendet me infrastrukturën më të mirë, e cila matet përmes tre indikatorëve: Konektivitetit, Transformimit Dixhital dhe Burimeve jo-personel. Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, po ashtu janë vlerësuar me potencial të lartë, sa i përket fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.