Sot (27.04.23), CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak) i KFOR-it, i dhuroi Shkollave Fillore në Sallagrazhdë, Semetisht dhe Nishor, Komuna e Suharekës, pajisje të ndryshme teknologjike.
Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni, në emër të KFOR-it foli, Komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore dhe Kontingjentit Italian, kolonel Mario BOZZI: “Nuk e dini se sa i lumtur jam sot, sepse fëmijët e mi e kanë moshën tuaj, janë 9 dhe 7 vjeç, një vajzë dhe një djalë që nuk i kam parë gati qe 3 muaj. Duke ju parë juve, po më duket sikur po rri me fëmijët e mi dhe duke iu ndihmuar juve, po më duket sikur po ndihmoj fëmijët e mi. Jam shumë i lumtur që jam sot këtu derisa po e dhurojmë këtë donacion. Për KFOR-in, investimi në gjeneratat e reja, është investim në të ardhmen e këtij vendi.”
Donacioni në fjalë, me përmbajte të pajisjeve shumë të nevojshme shkollore, u dhurua në prezencën e stafit të shkollor, në emrin e të cilëve për Radio KFOR-in foli drejtori i shkollës “Skënderbeu” në Sallagrazhdë, z. Bafti Gashi: “Ne jemi shumë mirënjohës që KFOR-i ka gjetur mundësi, të na e dhuroj këtë donacion të vlefshëm për shkollën tonë. Ne kemi pasur shumë nevojë për pajisje teknologjike, që shkolla jonë të jetë më e digjitalizuar, në mënyrë që të ketë rezultate më të mira në punë, që të bëhet një mësimdhënie dhe mësimnxënie më e lehtë për nxënësit tanë dhe komunitetin në përgjithësi.”
Duke premtuar në një bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in, falënderues për këtë donacion ishte edhe Drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, z. Remzi Bajselmani: “E falënderojmë komandantin e KFOR-it dhe KFOR-in Italian, për këtë kontribut që e japin për arsim, në këtë rast edhe për arsimimin e komunës së Suharekës. Do të mundohemi që në vazhdimësi të jemi partner të arsyeshëm në çdo vepër të mirë, që do ta bëjmë bashkë.”
KFOR-i përmes projekteve dhe donacioneve të shumta të CIMIC-ut, po dëshmojnë ndihmën dhe vullnetin e tyre për të qëndruar pranë të gjithë njerëzve në Kosovë dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre të përgjithshme.