Community Building Mitrovica dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) mbrëmë (26.04.23), u bënë bashkë në një projekt shumetnik, për të mbledhur art dashësit në një mbrëmje artistike, të përshkuar nga muzika dhe poezia.
Të pranishmit u argëtuan nga 3 grupe muzikore lokale, të cilët interpretuan rryma të ndryshme muzikore, në skenën e hapësirës së ‘Defy Them’, ku prezent ishte edhe Radio KFOR-i, për të cilin dhanë prononcim disa nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje.
Drejtoresha Ekzekutive e Organizatës ‘Defy Them’, znj. Lira Blakaj e entuziazmuar nga numri i pjesëmarrësve, tha: “Sot jemi duke e mbajtur një aktivitet gjithëpërfshirës nga etni të ndryshme në Kosovë. Jemi mbledhur këtu dhe po bëjmë muzikë. Do ta lexojmë edhe një poezi në tri gjuhë, në atë rome, serbe dhe shqipe, që është shkruar nga një vajzë e komunitetit serb. Qëllimi i këtij aktiviteti, është që të përçojmë mesazhin që arti dhe muzika i tejkalojnë të gjitha ndasitë e komuniteteve dhe gjithmonë zhvillojnë diçka të bukur artistike, që paqja të mbizotërojë.”
Asistenti në Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut, z. Dimitrije Obrenovic, në prononcimin e tij dhënë Radio KFOR-it, tregoi për qëllimin e këtij organizimi: “Qëllimi ynë është të krijojmë një lidhje mes të rinjve që jetojnë në këto zona dhe t’ua bëjmë jetën më të mirë dhe më të bukur. Sot kemi një projekt leximi poezish, shkruar nga Andrea. Kjo poezi është përkthyer në tre gjuhë të ndryshme dhe më pas do të kemi një festë, ku fëmijët do të kenë mundësinë të këndojnë, luajnë dhe kërcejnë.”
Edhe asistentja e programit, në organizatën “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, znj. Hana Berisha, e pranishme në këtë event, tha: “Kjo nismë është produkt i një punëtorie që e kemi mbajtur në muajin shkurt dhe është ide origjinale e pjesëmarrësve, të cilët janë pjesë e kësaj nisme. Pra kjo ide erdhi nga ta, si shuarje e narrativëve të paragjykimeve dhe ndarjeve të komuniteteve. Mesazhi i këtij projekti, është që ti bashkojmë kulturat, t’i ndajmë ato me njëri tjetrin dhe të shoqërohemi me njëri tjetrin sa më shumë.”
Për rëndësinë e bashkëpunimit të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, për Radio KFOR-in foli edhe Mentori i Qendrës së Muzikës ‘Music 4 All’, z. Xhemal Mustafa: “Në qendrën tonë kemi 64 fëmijë dhe me ta zhvillojmë shumë aktivitete, ku përfshihet puna me instrumente dhe këndimi. Dua të falënderoj publikisht prindërit që na mbështetën dhe u kënaqën me faktit që fëmijët e tyre, do të marrin pjesë në një koncert si ky. Për ne, pjesëmarrja në ngjarje të tilla është shumë e rëndësishme, sepse arrijmë të lidhemi me njerëz nga komunitetet e tjera, me të cilët shkëmbejmë kontakte dhe përvoja.”
Kjo ngjarje, ishte pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve, të zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), e mbështetur nga populli amerikan përmes USAID-it në Kosovë.