‘Dita Botërore e Shëndetit Oral’ shënohet çdo vit me datën 20 mars, me objektivin kryesor, rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit oral. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht 75% e popullsisë së botës, vuajnë nga kariesi i dhëmbëve të përhershëm, ndërsa mbi 500 milionë fëmijë zhvillojnë karies në dhëmbët primar.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me stomatologen/specialisten e protetikës, Arta Gjikolli-Loxha, e cila tregoi për rëndësinë e ruajtjes së shëndetit oral: “Ruajta e shëndetit oral, nënkupton dhëmbë të shëndoshë. Nëse këtë e kuptojmë që në fëmijëri të hershme, do të jemi me fat të gëzojmë shëndet të mirë dhe të kemi jetëgjatësi të dhëmbëve të shëndetshëm. Pse e them shëndet të mirë? – Sepse shëndeti oral, ndikon edhe në shëndetin tonë në përgjithësi. Përkujdesja duhet të jetë në baza ditore, fillimisht me teknikat e pastrimit të rregullt të dhëmbëve duke i përfshirë të gjitha sipërfaqet e dhëmbit, duke mos e dëmtuar mishin dhe duke e pastruar edhe gjuhën gjithashtu.”
Dentistja Gjikolli-Loxha, po ashtu shtoi se në vendin tonë, ka nevojë të punohet më shumë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit oral dhe rëndësinë e preventivës, në mënyrë që të kemi sa më pak sëmundje orale dhe humbje të dhëmbëve.