Platforma ndreqe.com, po u del në ndihmë të gjithë banorëve në Kosovë, për të raportuar lehtë dhe shpejt ankesat e tyre, ndërsa institucioneve komunale po i mundëson kanalizimin e këtyre kërkesave, në një vend lehtë të qasshëm. Për të kuptuar më shumë rreth kësaj platforme, Radio KFOR-i ka intervistuar Menaxheren e Projekteve në Democracy Plus, znj. Dëbora Peci: “Platforma online ndreqe.com , mbledhë ankesat e qytetarëve për shërbime publike komunale dhe i portretizon në një hartë interaktive. Aktualisht, përmes platformës ndreqe, mund të raportohen këto kategori të problemeve: shkeljet mjedisore në kategoritë; ambienti, mbeturina, ujëra të zeza, gropa në rrugë, ndriçim publik, trotuar i dëmtuar, shenja të rrugës dhe të tjera. Qysh nga koha e publikimit, platforma është zhvilluar edhe në aplikacion. Ndër vite, ndreqe ka bashkëpunuar ekskluzivisht me zyrtarët komunal, përgjegjës për kategoritë e ankesave, kurse në vitin 2022 me ndihmë të zyrës së UNDP-së në Kosovë, është zgjedhuar ky bashkëpunim edhe me institucione të nivelit qendror.”
Platforma është në shërbim të të gjithë banorëve, tha znj. Peci: “Platforma është e qasshme në gjuhen shqipe – ndreqe.com dhe serbe – popravi.org. E njëjta vlen edhe për faqe të internetit, por edhe për aplikacion në iOS dhe Android. Përdorimi i platformës është mjaft i thjesht. Hapi i parë që ankuesit duhet të bëjnë, është të klikojnë në butonin ndreqe, kështu platforma e gjen lokacionin e raportuesit, duke e vendosur problemin në hartë. Hapi i dytë është ngarkimi i 1 apo 3 fotove të problemit dhe përzgjedhja e kategorisë së problemit. Nëse je raportues për herë të parë, platforma iu kërkon që të kyçeni qoftë me e-mail adresë apo me llogari të Facebook-ut. Por, këto të dhëna (e-mail adresa) assesi nuk ndahen me zyrtarët komunal, meqë raportimi në platformë bëhet në mënyrë anonime. Me t’u kyçur në llogari, krejt çka mbetet është të klikohet butoni “dërgo” dhe ankesa automatikisht regjistrohet në platformë dhe shkon te komuna përkatëse. Në platforme, tek sesioni “Informohu” të interesuarit mund të shohin video udhëzuese të cilat hap-pas-hapi e tregojnë mënyrën e raportimit të problemit. Gjithashtu, nëse ka ndonjë telashe përgjatë raportimit, qytetarët mund të na kontaktojnë në faqen tonë të Facebook-ut – ndreqe.com.”
Platforma deri tash është mirëpritur shumë nga qytetaret, duke mbledhur mbi 5.000 raportime në gjithë Kosovën. Qasshmëria në të gjitha komunat e Kosovës, platforma e krijuar në dy gjuhë si dhe versioni aplikacion i ndreqe-s, padyshim se ka bërë që kjo platformë të pëlqehet dhe të përdoret lehtë nga të gjithë, njoftoi znj. Peci.
Në thirrjen e saj që sa më shumë qytetarë ta përdorin platformën, tha: “Ne ftojmë qytetarët që të shkarkojnë aplikacionin në pajisjet e tyre elektronike të mençura dhe të raportojnë sa më shumë probleme që shohin në komunitetin e tyre – pavarësisht madhësisë apo shkallës së problemit. Kështu, duke qenë aktiv, ne bashkërisht e rrisim presionin publik ndaj institucioneve dhe bëjmë që ato të jenë më llogaridhënëse kundrejt qytetarëve. Në anën tjetër, duke raportuar problemet që ne i shohim, ne e bëjmë më të lehtë punën e komunave.”
Ndreqe.com, mund të shkarkohen në të dyja sistemet operative, Android dhe iOS, ndërsa për më shumë detaje mund të klkoni KËTU.