Vlera e numrit Pi (π) është afërsisht 3.14 dhe data e sotme, në disa vende shkruhet 3.14, sikurse edhe vlera e numrit Pi dhe për këtë arsye UNESCO shpalli datën e sotme, 14 marsin, si ‘Ditë Ndërkombëtare të Matematikës’. Çdo vit, në këtë ditë ftohen vendet në të gjithë botën që ta shënojnë dhe festojnë në shkolla, biblioteka, muze dhe hapësira publike të të gjitha llojeve! Qoftë me studentë apo mësues, institucione apo shkolla, matematikanë apo shkencëtarë, ose thjesht qytetarë të rastësishëm që e duan matematikën, ‘Dita Ndërkombëtare e Matematikës’, mirëpret këdo dhe të gjithë për të treguar vlerësimin dhe rolin thelbësore që ka matematika në të gjitha fushat, përfshirë përparimet në shkencë e teknologji. ‘Dita Ndërkombëtare e Matematikës’ është mundësi e mirë për të festuar rolin thelbësor që luan mësimi i matematikës, në përparimet në shkencë dhe teknologji, në përmirësimin e cilësisë së jetës, në fuqizimin e grave dhe vajzave dhe në arritjen e Zhvillimit të Qëndrueshëm.







