Për të nderuar punën dhe kontributin e çmuar të mësimdhënësve, Radio KFOR-i muajin mars, po ia dedikon kampanjës së mësimdhënësve, gjuhëve dhe edukimit, përmes artikujve të ndryshëm, mesazheve vetëdijesuese, intervistave të shumta me nxënës, studentë dhe mësimdhënës të gjuhëve të huaja, të cilët kohë pas kohe ftohen në studio live, për të diskutuar për çështjen e rëndësisë së mësimit të gjuhëve të huaja. Sot (14.03.23), në kuadër të emisionit “Macchiato Lounge”, e ftuara e nikoqirit Ardian Gashi, ishte mësimdhënësja e gjuhëve në shkollën “New Age”, znj. Edita Ramadani. Ajo tregoi për përvojën e saj si mësimdhënëse si dhe tregoi për rëndësinë e njohjes së më shumë gjuhëve: “Njohja e gjuhëve, lidhet drejtpërdrejt me kultura të ndryshme, kështu që të folurit e një gjuhe tjetër, ndikon pozitivisht sepse po ashtu na ndihmon në vlerësimin e traditave, feve, të arteve të historisë së njëri-tjetrit dhe përmes njohës së kulturës së njëri-tjetrit, rrisim tolerancën, ndjeshmërinë dhe pranimin e të tjerëve.”
“Duke mësuar gjuhë të ndryshme, ne krijojmë lidhje shoqërore, që është bazë e një shoqërie demokratike dhe tolerante”, tha znj. Ramadani, në mesazhin e saj drejtuar të gjithë dëgjuesve të Radio KFOR-it, të cilët i inkurajoi që të mësojnë sa më shumë gjuhë të ndryshme.