Për të nderuar punën dhe kontributin e çmuar të mësimdhënësve, Radio KFOR-i muajin mars, ia dedikon kampanjës së mësimdhënësve, gjuhëve dhe edukimit, përmes artikujve të ndryshëm, mesazheve vetëdijesuese, intervistave të shumta me nxënës, student dhe mësimdhënës të gjuhëve të huaja, të cilët kohë pas kohe i ftojmë në studio, për të diskutuar për çështjen e rëndësisë së mësimit të gjuhëve të huaja. Sot (01.03.23), në kuadër të emisionit të mëngjesit, i ftuari i nikoqires Trëndelina Duli, ishte drejtori gjeneral i shkollës ‘New Age’, Dimitri Bibolli.
Mes tjerash, z. Bibolli, shpalosi mënyrat e të mësuarit të gjuhëve të huaja, qëllimin kryesor të mësimit të tyre dhe përparësisë që kanë individët nga njohja e më shumë gjuhëve të huaja, përveç gjuhës amë: “Sa i takon metodave dhe qasjes në mësimdhënie dhe mësim nxënie, ato janë çdo ditë në zhvillim e sipër. Në këtë aspekt, ndikojnë shumë faktorë: përgatitja e mësimdhënësit dhe origjina e tij, ambienti ku mësohet, qëllimi konkret i mësimit dhe filozofia kurrikulare. Në shkollën tonë mbizotëron qasja ndërvepruese, ku metoda komunikatave është dëgjimi dhe komunikimi, bazuar në projekte dhe detyra, pra ka karakter praktik”, tha z. Bibolli.
Nëse dikur ka qenë gjuha angleze, tani më shumë ka interesim për mësimin e gjuhës gjermane. Sipas z. Dimitri, sot, ka ndryshuar edhe modeli i të mësuarit të një gjuhe të huaj, për shkak të ekspozimit të fëmijëve apo të rriturve ndaj internetit, rrjeteve sociale, përmes së cilave mund të mësohet një gjuhë e huaj, pa pasur nevojë për ndonjë kurs përkatës.
“Njohja e gjuhës, po kthehet në detyrim. Kufizimi i njohjes së vetëm një gjuhe, të kufizon në shumë aspekte, edhe në atë kognitiv. Rëndësia e njohjes së gjuhëve ka rëndësi të madhe. Është mjet i organizuar për të mundësuar komunikimin efektiv mes njerëzve, krijon marrëdhënie, qoftë edhe në rrafshin e biznesit. Njohja e ndërsjellë e gjuhëve sjellë avantazh në aspektin praktik, mund të rrisë edhe tolerancën dhe mirëkuptimin ndaj njëri tjetrit, e në rastin e Kosovës, ka një rëndësi edhe më të veçantë”, përfundoi drejtori i shkollës ‘New Age’, Dimitri Bibolli.