Muzika mund të na ngrejë humorin, të na qetësojë ose mund të na motivojë dhe ngushëllojë. Por në duart e muziko-terapeutistëve të trajnuar me profesionalizëm, muzika mund të sjellë përfitime shtesë, duke depërtuar edhe aty ku fjalët nuk munden. Data e sotme, 1 Marsi, i dedikohet ‘Ditës Botërore të Muzikoterapisë’. Terapeutistët e muzikës, janë profesionistë të kujdesit shëndetësor që përdorin muzikën për të ndihmuar në mbështetjen e individëve me nevoja fizike dhe emocionale. Terapia muzikore, përdor muzikën për të reduktuar stresin dhe për të përmirësuar gjendjen shpirtërore përmes dëgjimit, këndimit, luajtjes së instrumenteve ose kompozimit të muzikës.
Kjo formë e terapisë, është njohur gjerësisht në fushën klinike që nga shekulli i 20-të, por sipas dokumentimeve historike, thuhet se edhe Hipokrati u luante muzikë pacientëve të tij në vitin 400 para Krishtit.